Kallëzimet
Kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), Zyhdi Dajti, është denoncuar në Prokurorinë e Tiranës për bllokimin e punimeve në zgjatimin e Bulevardit të Ri të Tiranës dhe prishjen e kompleksit “Jon” në Vlorë. Në lidhje me Bulevardin, burime nga prokuroria thonë se kallëzimi ka ardhur nga Bashkia, e cila pretendon se Dajti është personi që ka firmosur vendimin e bllokimit të punimeve në Bulevard. Ky vendim, sipas denoncimit bie ndesh me vendimin e Gjykatës Administrative që lejonte vazhdimin e punimeve. Prokuroria do të sekuestrojë të gjitha shkresat që lidhen me zgjatimin e bulevardit dhe me bllokimin e punimeve.
Krahas këtij kallëzimi, në Prokurorinë e Tiranës është edhe kallëzimi i investitorëve të pallatit “Jon” në Vlorë, i cili u shkatërrua muaj më parë me argumentimin e ndërtimit të paligjshëm. Kallëzimin për “shpërdorim të detyrës”, investitorët e kompleksit e kanë drejtuar edhe ndaj drejtorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor të Vlorës.