Një kryefamiljar është arrestuar pasi dhunonte bashkëshorten dhe vajzat invalide. I arrestuari Fluturim Karabrahimi është denoncuar nga vajza e tij minorene, e cila e akuzon të atin për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike. Vajza me inicialet A.K., është shprehur se jetonte mes frikës dhe ankthit, teksa shihte mamanë e saj dhe dy motrat invalide të dhunoheshin barbarisht. Në një situatë të tillë, policia e Bulqizës ka bërë arrestimin e tij të menjëhershëm. Mësohet se 40- vjeçari nga fshati Ostren ushtronte dhunë vazhdimisht, ndonëse vajzat dhe e shoqja ishin të paafta për t’u mbrojtur. As ky fakt nuk e ka ndalur këtë mizori, duke sjellë një gjendje dhune dhe ankthi për të miturat dhe zonjën e kësaj shtëpie. Blutë e qytetit të Bulqizës kanë ndalur 40-vjeçarin Fluturim Karabrahimi dhe ndaj tij rëndon akuza e dhunës në familje. Sinjalet e para për ushtrimin e dhunës ndaj femrave invalide ishin dhënë nga fqinjët e kësaj familjeje, të cilët deklaruan në polici se gjatë muajve të fundit kishin vënë re një shtim të theksuar të dhunës ndaj tyre. Në disa raste fqinjët kishin ndërhyrë për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të dhunës dhe e kishin këshilluar 40-vjeçarin që të mos ushtronte dhunë ndaj femrave të pambrojtura. Ajo që binte në sy gjatë këtyre akteve mizore të kryefamiljarit ishte fakti që ai pretendonte që vajzat dhe e shoqja invalide të kryenin punët e shtëpisë, pasi e gjithë barra i kishte rënë atij. Për pasojë, të gjithë fluksin e punëve, po e përballonte vajza e mitur, e cila nga ana tjetër gjendej përditë përballë skenave mizore, ku nëna dhe motra rriheshin nga babai i saj. Gjatë momenteve të para të shoqërimit të 40-vjeçarit në polici, mësohet se ai ka deklaruar se gjendja e rënduar e së shoqes dhe dy vajzave invalide e kishin futur në një gjendje të padurueshme dhe dhunën e kishte ushtruar gjatë momenteve të dëshpërimit. Tashmë ai akuzohet për dhunë në familje dhe në orët në vijim pritet të përballet me togat e zeza të Gjykatës së Dibrës.