Ministri i Shëndetësisë shkarkon drejtorin e spitalit Vlorë për shkak të performancës
Në një situatë parazgjedhore, kur aleancat deri dje solide u thyen dhe për shkak të kësaj përçarja po zgjerohet më tej dita-ditës, regjistrohen valë të tjera largimesh.
Zëvendësime, ndryshime strukturash, shkarkime e dorëheqje.
Dje është shkarkuar nga detyra përgjegjësi i postës në Bulqizë. Po ashtu ka dhënë dorëheqjen drejtori i spitalit rajonal në qytetin e Lezhës. Është firmosur largimi nga detyra edhe për drejtorin e spitalit rajonal në Vlorë.
Largimet dhe emërimet e reja në administratë pas prishjes së marrëveshjes mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, kanë nisur edhe në rrafshin lokal.
Kështu mësohet se është shkarkuar nga detyra përgjegjësi i postës Bulqizë, Naxhi Plaku, i LSI-së, i cili është zëvendësuar nga Albana Alla. Ajo që shkakton habi mbetet fakti i shtrirjes së ndryshimeve në administratën e bazës deri në nivele të ulëta siç dhe është ai i përgjegjësit të postës sh.a, ndërkohë që këto zëvendësime ende nuk kanë prekur drejtuesit e drejtorive rajonale.
Një tjetër largim është regjistruar në Vlorë. Në datën 10 prill, kreu i Shëndetësisë ka firmosur largimin e drejtorit të spitalit të Vlorës për shkak të performancës në punë.
Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar dje zyrtarisht se: “Z. Shkëlqim Selami, ish-drejtor i spitalit Vlorë është shkarkuar nga detyra me shkresën që mban firmën e ministrit të Shëndetësisë z. Halim Kosova, për shkak të performacës në punë. Urdhri i shkarkimit është firmosur nga ministri Kosova, në datë 10 prill. Motivacioni i shkarkimit: Për një performacë më të mirë në punë dhe rritje të cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët”.
Në fillim të javës dha dorëheqjen drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
Pritet që javën e ardhshme Kryeministri të firmosë edhe për largimin e drejtorit të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”.