Gjatë prezantimit të reformës për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit, Kryeministri Edi Rama lëshoi një paralajmërim të fortë, kushdo që vjedh ujin do të përballet me masa penale, përfshirë heqjen e lirisë.
Duke kritikuar bashkitë për mungesë veprimi, Rama u shpreh se autoritetet vendore nuk arritën të bëjnë dallimin e qartë mes qytetarëve që paguajnë për ujin dhe atyre që abuzojnë me të. “Vija e kuqe nuk u vendos kurrë mes atij që paguan dhe atij që vjedh ujin. Është e pajustifikueshme që ai që paguan të mos ketë ujë, ndërsa ai që vjedh të mos ndëshkohet”, theksoi kryeministri.
Ai e krahasoi këtë situatë me aksionin ndaj vjedhjes së energjisë elektrike, duke sqaruar se nuk do të tolerohen më “përralla” mbi mosndëshkimin. “Ashtu si me energjinë, edhe me ujin do të ketë penalizime serioze. Nuk mjafton vetëm ndërprerja e shërbimit për abuzuesit do të merren masa penale, përfshirë burgun”, deklaroi ai.
Në vijim, Rama bëri të ditur se shumë shpejt do të krijohet një Task Forcë e dedikuar për kontrollin dhe ndëshkimin e abuzimeve me ujin, një strukturë që do të ndjekë modelin e përdorur më parë për ndërhyrjet në sektorin e energjisë.
Reforma synon jo vetëm përmirësimin e furnizimit me ujë, por edhe krijimin e një sistemi të drejtë, ku qytetarët që respektojnë detyrimet nuk penalizohen për shkak të abuzimeve nga të tjerët.