Një episod tensioni është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Tiranë, gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet, ku në qendër të përplasjes janë gjendur deputeti socialist Blendi Çuçi dhe bashkëshortja e tij, Delina Fico.
Çifti ndodhej në ambientet e një lokali, kur pranë tavolinës së tyre është afruar një grup protestuesish. Këta të fundit kanë nisur t’i filmojnë dhe të lëshojnë thirrje si “Çuçi burg”, “Rama burg” dhe “Berisha burg”, krahas sloganeve të tjera kundër qeverisë.
Në pamjet e publikuara, Çuçi shihet fillimisht pa reaguar ndaj protestuesve. Situata më pas tensionohet, teksa Fico nis të hedhë në drejtim të tyre disa prej sendeve që ndodheshin mbi tavolinë, mes të cilave shishe dhe lugë.
Deputeti socialist ndërhyn në një moment për ta ndaluar bashkëshorten, por më pas edhe ai përfshihet në përplasjen me protestuesit. Në video, Çuçi shihet duke bërë gjeste fyese në drejtim të personave që ndodheshin përballë tij, përfshirë vajzën që po filmonte skenën.
Edhe Fico vijon të reagojë me gjeste, ndërsa në pamje dëgjohet duke shkëmbyer fjalë me protestuesen.
Ngjarja është filmuar nga personat e pranishëm dhe pamjet e përplasjes janë publikuar më pas.
