Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim Auronë Pelajn, e cila akuzohej për dhunë ndaj një të moshuare në një shtëpi përkujdesjeje në Pejë, në një ngjarje të ndodhur në vitin 2022.
Sipas vendimit të gjykatës, Pelaj është gjetur fajtore për veprën penale të sulmit ndaj një gruaje të moshuar, e cila vuante nga sëmundja e Alzheimerit dhe ishte e vendosur në institucion për kujdes të specializuar.
Gjykata ka përshkruar se e pandehura, në cilësinë e infermieres, ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, duke e kapur nga duart, duke i kufizuar lëvizjet dhe duke e goditur disa herë në fytyrë.
Në vendim është theksuar gjithashtu se gjatë shqiptimit të dënimit është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 2 deri më 24 nëntor 2022.
Pjesa e mbetur e dënimit do të ekzekutohet pasi vendimi të marrë formë të prerë.
Përveç dënimit me burg, gjykata ka vendosur edhe masën plotësuese të ndalimit të ushtrimit të profesionit të infermieres për një periudhë prej pesë vitesh, duke filluar nga momenti i formës së prerë të aktgjykimit.
