Klajdi Mehalla, 35 vjeç, me banim në Birkenhead, Merseyside, është dënuar me tre vite e gjysmë burg nga Gjykata e Staffordit në Angli, pasi u shpall fajtor për përfshirje në një rrjet të trafikut të kokainës dhe kanabisit.
Mehalla u ndalua në prill nga efektivët e policisë gjatë një operacioni proaktiv në zonën e Rugeley, ndërsa ndodhej në një makinë të siguruar në emër të një personi tjetër. Gjatë kontrollit, oficerët zbuluan katër pako me kokainë si dhe mesazhe në telefonin e tij që reklamonin shitjen e drogës në zonë. Ai pretendoi fillimisht se droga ishte për përdorim personal.
Hetimet zbuluan se Mehalla luante një rol kyç në një grup të organizuar kriminal me lidhje me Shqipërinë, duke shpërndarë drogë për llogari të këtij rrjeti në disa qytete të Anglisë.
Në bazë të provave të mbledhura, autoritetet e akuzuan atë për posedim me qëllim shpërndarjeje të kokainës, përfshirje në shpërndarjen e kokainës dhe kanabisit, si dhe përdorim të një automjeti pa siguracion të detyrueshëm.
Më 23 maj, Mehalla pranoi fajësinë për akuzat dhe sot (26 shtator) u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg.
Ky arrestim është pjesë e një operacioni të nisur nga policia e Staffordshire së cilës i referohet Top Channel, në maj 2023 për të goditur krimin e organizuar. Deri më tani, mbi 1,000 persona janë arrestuar për vepra penale që lidhen me drogën dhe armët.
Autoritetet britanike theksojnë se vijojnë me përkushtim luftën kundër rrjeteve të mëdha kriminale që veprojnë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.
Top Channel