Pas më shumë se nëntë muajsh pas hekurave, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është rikthyer sot në selinë blu, ku po zhvillon konferencën e parë për mediat pas lirimit nga burgu.
Në deklaratën e tij publike, Salianji falënderoi gazetarët për vëmendjen dhe mbulimin mediatik gjatë kohës së burgosjes, të cilën e cilësoi si politike. “Ju falënderoj për mbulimin, vëmendjen dhe mesazhet që nëpërmjet jush kam pasur mundësi të komunikoj me publikun gjatë periudhës së qëndrimit në burg politik,” tha ai.
Ai e nisi fjalën duke kujtuar denoncimin e famshëm për çështjen “Babale”, ku, sipas tij, pas publikimit të përgjimeve për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, ky i fundit përfundoi i dorëzuar tek autoritetet italiane.
“Siç ua premtova dhe nga kjo seli kur u vetëdorëzova për të kryer dënimin, sot ja ku jemi, fatkeqësisht me të njëjtat sëmundje që ka vendi, ku edhe dënimi im ishte një regres për demokracinë,” theksoi Salianji.
Ai e konsideroi dënimin si një hakmarrje politike, për shkak të, siç u shpreh, prekjes së një prej karteleve të drogës në Shqipëri.
Deklarata e tij u prit me duartrokitje në sallë, ndërsa rikthimi i tij në selinë e PD pritet të shënojë edhe një fazë të re në karrierën e tij politike.
