Elbasan


Gjykata e Elbasanit ka vendosur mesditën e djeshme masën e sigurisë “burg pa afat” për drejtuesin e autobusit që u përmbys të shtunën në kthesat e Kërrabës, në rrugën Tiranë-Elbasan. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Elbasanit, Mit’hat Biçaku do të qëndrojë në dhomat e paraburgimit në Peqin, pasi dyshohet që të ketë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Ndërkohë, akti i ekspertimit për aksidentin ende nuk është dorëzuar në prokurori dhe vetëm sot pritet që ekspertët të hedhin dritë mbi të vërtetën e aksidentit, që për pak nuk u shndërrua në një tragjedi të rëndë, pasi në autobusin që u përmbys rreth disa metra poshtë rrugës udhëtonin 35 veta. Që prej ditës kur ndodhi aksidenti, tentativat për ta nxjerrë autobusin nga vendi ku ka rënë, kanë dështuar, pasi nuk është mundur që të sigurohet një vinç me kapacitet e duhura. Pas këtij procesi, grupi hetimor do të shohë gjendjen teknike të autobusit dhe do të përcaktojë qartë nëse ka pasur goditje nga një fuoristrada, siç pretendohet, apo shoferi dhe pasagjerët gënjejnë. “Deklaratat jo të qarta të shoferit dhe pasagjerëve, kanë bërë që ne si prokurori të shohim me kujdes çështjen. Biçaku shpeshherë ka rënë në kontradikta në ato që thotë, duke bërë që ne të dyshojmë për një alibi të ngritur prej tij”, tha një anëtar i grupit të hetimit.


s.m.