5 shqiptarë dhe rumunë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, të akuzuar për përdhunimin dhe shfrytëzimin seksualisht të disa të miturave.

Sipas “Daily Mail”, burrat akuzohen për kryerjen e veprave të rënda penale seksuale kundër gjashtë vajzave gjatë një periudhe 4-vjeçare, nga marsi 2021 deri në maj 2019. Akuzat kundër tyre përfshinin përdhunim, trafik droge dhe sulm seksual. Gjykata dëgjoi se autorët e krimit u blinin cigare dhe alkool të miturve dhe në këmbim i detyronin ata të kryenin akte seksuale me njerëz të ndryshëm. Përdhunimet dhe sulmet ndodhën në vende të ndryshme në qytetin e Gateshead, duke përfshirë një bordello dhe një park.

 “Kishte raste kur mendoja se do të vdisja me ta. E di që kam një rrugë të gjatë për të bërë. Kam frikë nga të gjithë burrat, e urrej të dal jashtë dhe i urrej njerëzit.”, zbuloi një nga viktimat në dëshminë e saj, duke shtuar se tani ka aq shumë frikë nga burrat sa refuzon t’ua hapë derën e shtëpisë së saj shpërndarësve meshkuj, por edhe të shërbehet nga një punonjës mashkull në dyqane.

Një vajzë tjetër që përjetoi terror nga duart e bandës, duke u sulmuar në parkun e qytetit, dëshmoi në gjykatë se autorët e saj i shkatërruan kujtimet e bukura të fëmijërisë që kishte nga ai vend.

“Trauma nuk do të zhduket kurrë. Do ta kujtoj gjithmonë atë që ndodhi atje”, tha ajo, duke zbuluar se procesi ligjor e detyroi të rijetonte këtë përvojë të tmerrshme.

Një viktimë e tretë dëshmoi se jeton vazhdimisht me frikën se mos i ndodhte diçka e keqe.

“Jam e trishtuar që nuk isha në gjendje të jetoja një jetë normale adoleshente. Kam humbur të gjithë besimin te njerëzit, ndihem e sigurt vetëm në shtëpinë time”, theksoi ajo.