Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare pritet të nis shqyrtimin e disa ndryshimeve të ligjit për të drejtat e të burgosurve. Aktualisht ligji parashikon se një i dënuar të cilit i kanë mbetur 6 muaj vuajtje dënimi mund të kalojë në burg të hapur por kjo praktikë pothuajse nuk zbatohet fare.

Ndryshimi ligjor i propozuar thotë se “një personi të dënuar  të cilit i ka mbetur më pak se 2 vjet e 6 muaj burgim për të vuajtur, me kusht që i dënuari të ketë siguruar një kontratë të rregullt pune kalon në atë që njihet si burg i hapur. Kjo do të thotë se i dënuari paradite shkon në punë dhe në darkë kthehet në burgun e hapur.

Nasip Naço kryetar i komisionit të sigurisë kombëtare propozues i ndryshime në një intervistë për Top Channel thotë se idea e ndryshimeve mori spunto nga paratë e buxhetit të shtetit të cilat alokohen çdo vit për Drejtorinë e Përgjithshme të Bungjeve dhe koston vjetore  për mbajtjen  e një të burgosuri.

“Kemi rreth 5.000 të dënuar dhe të paraburgosur po aq punonjës policie në burgje dhe punonjës civil që punojnë në administratën e burgjeve, i bie një polic për një të dënuar. Duke parë statistikat kjo shifrat nuk gjen zbatim në praktik. Parësore është rehabilitimi, jo siguria,. Mund të jetë raportin 1 polic me të dënuar, 1 me 20, 1 me 60”, u shpreh Naço.

Vende si Anglia, Gjermania, Holanda, Spanja, Zvicra, Italia, Luksemburgu, Polonia, Mali i Zi, kanë aplikuar tashmë këtë regjim për një kategori të dënuarish, regjim ky që është vlerësuar tepër pozitiv në drejtim të të drejtave dhe lirive të personave të dënuar.