Një situatë alarmante është evidentuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shënkoll të Lezhës, ku trajtohen personat ndaj të cilëve është vendosur masa e mjekimit të detyrueshëm.

Pas një inspektimi në këtë institucion, Avokati i Popullit ka ngritur shqetësime për mbipopullimin, mungesën e personelit dhe kushtet e papërshtatshme të trajtimit. Sipas gjetjeve të raportuara, numri i personave të akomoduar është rreth dyfishi i kapacitetit të parashikuar.

Mungesa e ambienteve të përshtatshme dhe e stafit të nevojshëm mjekësor, sipas Avokatit të Popullit, po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e trajtimit dhe në respektimin e të drejtave të personave që ndodhen në këtë institucion.

Institucioni i pavarur i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të marrin masa të menjëhershme për përmirësimin e situatës, duke e cilësuar gjendjen aktuale të papranueshme.

Komisionerët pranë Avokatit të Popullit kanë kërkuar që IEVP Shënkoll të funksionojë si një strukturë e mirëfilltë spitalore, me infrastrukturën, personelin dhe standardet e nevojshme për trajtimin e personave me masa mjekësore.

Ky institucion mori funksionin e trajtimit të personave me masa mjekësore pas mbylljes së institucionit të Zaharisë në Krujë. Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, problematikat e evidentuara prej vitesh vijojnë të mos kenë gjetur zgjidhje.

Shqetësimet për kushtet në Shënkoll janë pasqyruar edhe në raportet e mëparshme vjetore, por deri tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e situatës.