Një grup qytetarësh dhe burra të fisshëm nga Mirdita janë nisur drejt Thethit, në shenjë solidariteti me banorët e zonës së Dukagjinit, të cilët po përballen me sfida që prekin jetesën dhe trashëgiminë e tyre historike.

Nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, kjo nismë shpreh mbështetje për vëllezërit e gjakut në Shalë e Shosh dhe është një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar e veprim konkret.

“Jemi nisur drejt Dukagjinit, aty ku është bërë një masakër e jashtëzakonshme. Dora e njeriut e ndërtoi dhe sërish dora e njeriut e shkatërroi. Ne nuk do të bëjmë luftë me qeverinë, por duam të shohim masakrën e bërë nga ky regjim”, shprehen mirditorët, duke theksuar se, “kur shteti kthehet në agresor, populli mbledh Kanunin”.

Ata e konsiderojnë këtë tokë si trashëgimi të të parëve, të larë me gjak dhe jo si pronë të zënë padrejtësisht.

“Mirdita solidarizohet me Dukagjinin – sepse jemi një, sepse bashkimi është forca jonë më e madhe…”, përfunduan ata, duke rikonfirmuar lidhjet e hershme të besës dhe të gjakut që i bashkojnë trevat e Veriut.