Librazhd


Policia arreston Orjola Lleshin, e cila nuk e pranon krimin, fajëson djalin e saj 4-vjeçar


Bardha Nergjoni


krevati i femijesTradhtia bashkëshortore dhe dyshimet për atësinë e një fëmije të porsalindur kanë shkaktuar tragjedi në një familje në fshatin Marinaj të Librazhdit, ku nëna ka mbytur me jastëk foshnjën e vet 6-javëshe. Burri i saj, emigrant në Greqi, kishte vendosur ta ndante, por ajo, jo vetëm nuk ka pranuar divorcin, pasi ndihej e turpëruar, por në depresion është hakmarrë, duke vrarë frytin e vet.


Vrasja e foshnjës


Historia e rëndë ka ndodhur në familjen Lleshi të Komunës Qendër, ndërkohë që policia ka arrestuar nusen e shtëpisë, Orjola Lleshin. 24-vjeçarja është arrestuar për vrasje, pavarësisht se ajo nuk e ka pranuar krimin, duke dhënë disa variante për ngjarjen. Sipas policisë, gjithçka ka ndodhur mesditën e së martës, kur vjehrra e Orjolës, ka qenë jashtë shtëpisë, duke bërë punët. Ajo i ka dërguar mesazh vjehrrës dhe i ka thënë se nuk ishte mirë. Kur ka hyrë brenda, pasi Dylbere Lleshi, ka folur me nusen e djalit, ka shkuar në dhomën e gjumit dhe ka zbuluar se fëmija kishte vdekur. Më pas është njoftuar policia, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të saj.


Hetimet e policisë


Sipas policisë, konflikti në çift kishte nisur që para gjashtë javësh, kur kishte lindur foshnja M. Lleshi, ndërkohë që ata kanë edhe një djalë 4 vjeç. Bashkëshorti i Orjolës, Oltjan Lleshi, i cili ishte në Greqi në momentin e lindjes, kishte ngritur dyshimet se ai nuk ishte fëmija i tij, pasi kishte lindur tri javë para datës së përllogaritur. Nusja e tij, fillimisht nuk e ka pranuar këtë, ndërsa më vonë, i ka dërguar mesazh në telefon se fëmijën nuk e kishte me të, por ajo nuk mund të jetonte pa Oltjanin. Në këto kushte, ai u ka thënë prindërve të tij, Dylberes dhe Haxhiut, që ta dërgonin nusen në shtëpinë e vet, pasi ai do të ndahej me të. Ata e kanë dërguar, por brenda pak ditësh, ajo është rikthyer në shtëpinë e burrit, ku ka mbytur edhe foshnjën. Sipas policisë, foshnja është mbytur me jastëk, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, policia ka bërë arrestimin e saj për vrasje. Gjatë dëshmisë në polici, ajo ka dhënë disa variante për vdekjen e foshnjës, duke fajësuar edhe djalin 4 vjeç për vrasjen e tij, por nuk e ka pranuar krimin e kryer.


Banorët e fshatit


Në fshatin e largët, banorët e zonës e dinin historinë, ku ishte përfshirë Orjola dhe akuzat nga bashkëshorti për tradhti. E reja e martuar herët në familjen Lleshi, e ardhur nga një fshat i Librazhdit, kishte pasur një fëmijë të parë me bashkëshortin e saj. Sipas tyre, me lindjen e fëmijës së dytë, gjithçka kishte ndryshuar në familjen Lleshi, pasi bashkëshorti i saj punonte si emigrant në Greqi. Mësohet se ai kishte kuptuar tradhtinë dhe nëpërmjet telefonit u ka kërkuar prindërve ta largojnë nga shtëpia, por këta nuk kanë mundur, pasi nusja u është kthyer sërish. E reja bashkë me foshnjën kanë jetuar në familjen Lleshi, edhe pse ajo konsiderohej e ndarë nga bashkëshorti. Fqinjët thonë se nuk dinë asgjë, veç faktit se 24-vjeçarja grindej me vjehrrin dhe vjehrrën herë pas here. Megjithatë, teksa flasin nën zë me njëri-tjetrin, thonë se “dihej që ajo e tradhtonte, pasi burri i saj rrinte edhe dy vjet, pa u kthyer në Shqipëri”.


Kryeplaku i fshatit


Kurse, kryeplaku i fshatit, Shpëtim Karaj, thotë se ngjarjen e ka mësuar vetëm nëpërmjet policisë. Ai deklaron se njihte konfliktet që kishin në familje, por nuk di të thotë asgjë për arsyet e kësaj ngjarjeje. “Një ditë më parë, më mori policia për këtë ngjarje. Kjo ngjarje është tepër e rëndë. Arsyet nuk mund t’i dimë ne. Flitet se nuk ka shkuar mirë me vjehrrin dhe vjehrrën, por tjetër gjë nuk di. Nuk mund të them asgjë. Atë e dinë, vetëm ata, çfarë ka ndodhur. Është shumë e rëndë të vrasësh fëmijën cilado të ketë qenë arsyeja. Dimë që djali vinte shumë rrallë në shtëpi, pasi punonte si emigrant në Greqi”, tregon Karaj. Ai thotë se familja Lleshi jeton në varfëri dhe e vetmja e ardhur ishte puna e të birit në emigracion. Mësohet se komunikimi i bashkëshortit ka qenë me telefon edhe pas lindjes së fëmijës, pasi ai nuk ishte kthyer vetë, por përgjegjësinë e zgjidhjes së situatës së krijuar, ua kishte lënë prindërve të tij.


 


Intervista


Më tha se fëmija u mbyt me qumësht dhe se do vriste veten


Vjehrra e 24-vjeçares: Ajo pranoi tradhtinë, por nuk donte të ndahej


vjerraFamilja Lleshi është mbledhur në banesë, ku kanë ardhur edhe vajzat e martuara, por burri i gruas që vrau fëmijën, ende nuk ishte kthyer nga Greqia. Nëna e tij, Dylbere Lleshi, ka treguar të gjithë ngjarjen e rëndë ku mbeti e vdekur një foshnje e pafajshme. Gruaja që ka zbuluar krimin e tmerrshëm, thotë se nusja fillimisht ka tentuar ta gënjejë për vdekjen e të birit, por ajo nuk e ka besuar, duke dyshuar se ajo e kishte vrarë.


Si e zbuluat vrasjen e fëmijës?


Isha duke bërë punët jashtë. Kthehem në shtëpi dhe shoh nusen te  divani. E pyes çfarë ke. Më tha unë po vdes. Pse i thashë, ke pirë helm? “Jo, ik atje te dhoma tjetër shih”, më tha. Epo thashë unë, paska pirë helm. Të shkoj e të shikoj çfarë ka pirë. Vajta atje, shiko përqark, nuk pashë gjë. Më vajtën sytë te çuni. E pashë që kishte vdekur. Nuk e preka fare. U ktheva tek ajo e i thashë çfarë i bëre çunit. Pse e ke mbytur çunin. Më tha nuk e kam mbytur. E ke mbyt i thashë. Jo më tha e mbyti çuni i madh, i ka rënë sipër dhe unë isha në gjumë, nuk e pashë. Më vonë me tha që ishte duke pirë qumësht dhe u mbyt nga qumështi. Por unë nuk e besova.


Çfarë bëtë pasi zbuluat këtë ngjarje?


Fillimisht njoftova burrin se ishte në Librazhd. Dyshova tek ajo se çuni ishte mirë. E mora dhe i thashë hajde në shtëpi se ka vdekur çuni. Erdhi në shtëpi, mora gocat në telefon dhe u thashë se nuk jam mirë, nuk u tregova gjë. Pastaj mora dhe të ëmën e nuses dhe i thashë se ka mbytur fëmijën.


A ka pasur konflikte djali juaj me nusen?


Konflikte më parë nuk kanë pasur. Por kur lindi ky fëmijë, lindi tri javë para datës që mendonte çuni dhe tha “ky nuk është çuni im”. I thashë që ku e di ti. Gabohesh. Më mirë bëjmë analizat, pastaj flasim. Ai i tha edhe nuses atë që dyshonte.


Si e vërtetuat që fëmija nuk ishte i djalit tuaj?


Ajo e kishte vërtetuar vetë dhe i çoi mesazh çunit në Greqi, ku i kërkonte falje se këtë gabim e kishte bërë. Pastaj e pyeta dhe unë dhe mua më tha që unë e bëra. Këtë e di shpirti im edhe Zoti. Sesi ndodhi nuk e di.


Po së fundi a ishin grindur me njëri-tjetrin?


Ai e merrte me të mira. Madje, ne na tha dërgojeni te shtëpia e vet. E nisa në autobusin e mësuesve te shtëpia e saj. Vajti te  shtëpia e vet. Më tha kur të vij? Unë i thashë hajde kur të kthehet çuni. Më tha nuk ndahem prej Tanit dhe u kthye pas disa ditësh. Më tha, unë erdha se nuk rri dot pa Tanin. E mbajtëm. Nuk kishim çfarë të bënim. Kishim njoftuar, me polici me të gjitha. Dhe ata nuk bënë gjë. Na thoshin “ne nuk kemi ligj që të vijmë ta marrim. Ajo nuk ka bërë ndonjë krim”. Më në fund arriti këtu ku arriti. S’e mendonte njeri se do ta bënte këtë. B. Nergjoni