Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka hedhur akuza të forta në drejtim të qeverisë për dy çështje të rëndësishme. Së pari, ai kritikoi përjashtimin e kreut të PD-së Sali Berisha nga Kuvendi, duke e cilësuar këtë një veprim të pajustifikuar dhe antikushtetues.
Për më tepër, Noka u shpreh kundër ligjit për barazinë gjinore, duke thënë se ky ligj po sjell pasoja të rënda për strukturën tradicionale të familjes shqiptare. Ai e konsideroi këtë nismë si një përpjekje për të shkatërruar institucionin e familjes në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për ndikimin e saj në normat sociale dhe kulturore të vendit.
Noka: Përjashtuat kreun e opozitës, për deklaratën që u mbajt jashtë kësaj salle, nuk kishte asnjë kontekst fyes apo ofendues për askënd. Ishte një deklaratë që citonte, mos të them, fjalën e një ambasadori në TV. Ju e keni të pamundur të pranoni të vërtetën. Ajo që bëhet ndaj Berishës është urrejtje ndaj së vërtetës. E gjithë kjo ishte një makinacion që po bëhet në opinionin publik me ligjin tuaj të barazisë gjinore, ku meshkujt paradite i quani mashkull dhe pasdite femër, ku familja shkatërrohet, ku transvestiti do të konsiderohet njeri dinjitoz i kësaj shoqërie dhe ai që do të veprojë siç e ka bërë Zoti do të diskretitohet me ligjin tuaj. Pasi e keni inkuizuar këtë shoqëri, i erdhi momenti që të shkatërroni familjen. Zotëri mos u keqpërdor, se do të ikësh me turp që këtu.



