Heq dorë nga krenaria kombëtare dhe hyn në bisedime bashkimi me rivalin e vet, bursën e Varshavës


Bursa e vienes1Bursa e nderuar e Vjenës kapërdiu shekuj të tërë krenarie kombëtare këtë muaj dhe hyri në bisedime për bashkim me rivalin e vet fillestar, bursën e Varshavës. Vjena, tregu kryesor i kapitalit për Perandorinë Habsburgase, në shekujt e tetëmbëdhjetë e më pas, u kthye në një portë hyrëse për Europën Lindore pas rënies së Perdes së Hekurt, por është mposhtur në konkurrencë nga Varshava, për shkak të rregullave më të lehta dhe privatizimeve të shumta e të suksesshme. Varshava tashmë po bëhet portë hyrëse për investimet në rajon.


Varshava e kapërceu Vjenën sa i përket tregtimit të aksioneve në Europën Lindore që në vitin 2008. Vlera në treg e kompanive të renditura në bursë në Varshavë është aktualisht 215 milionë dollarë, dy herë më shumë sesa vlera e kompanive të renditura në Vjenë prej 104 milionë dollarësh.


Por Varshava, nga ana e saj, është pjesërisht nën pronësi shtetërore dhe po përballet me rënie të numrit të aksioneve të nxjerra në shitje, ndërsa reforma e programuar e pensioneve mund të sjellë largim të këtyre fondeve nga investimet në bursë, gjë që e bën idenë e bashkimit me Vjenën diçka të leverdishme edhe për të. Një bashkim mund t’i bëjë investitorët të kuptojnë se ka ardhur koha e bursave të stërmëdha, siç është Deutsche Boerse.


Për shkak se të dyja janë bursa sekondare të përqendruara më së shumti në tregtinë e aksioneve dhe më pak në biznesin joshës të derivateve financiare, një bashkim mund t’i lejojë të ulin kostot dhe të rrisin fitimet.


“Jeta po bëhet shumë e ashpër për bursat e vogla”, shpjegon Herbie Skeete, një konsulent. Megjithëse bisedimet janë ende në hapat e parë, analistët thonë se një bashkim i plotë do të jetë i vlefshëm.


Vlera tregtare e kompanive të renditura në të dyja bursat do të arrijë në vetëm 268 miliardë dollarë, e papërfillshme kjo në krahasim me vlerën e 1 trilion dollarëve të kompanive të renditura në bursën e Frankfurtit.


Por Egle Fredriksson, një menaxher investimesh nga Suedia i përqendruar në Europën Lindore, thotë se një bursë e vetme për Europën Qendrore e Lindore mund të tërheqë më shumë investitorë, të cilët kanë pak njohuri për rajonin.


Bursa e Vjenës, e cila është nën pronësinë e dhjetëra bankave austriake, kompanive të sigurimit e të tjerë, ka pronësi të plotë apo paketa të mëdha aksionesh në bursat e Pragës, Budapestit dhe Ljubjanës. “Do të jetë shumë më tepër interesante të kemi një treg të vetëm të madh”, tha Fredriksson.


Problemet strukturore të Vjenës përfshijnë aksione që nxirren rrallë në shitje, si dhe perceptime negative nga investitorët, të cilët u dogjën nga rënia e vlerës së aksioneve gjatë krizës së vitit 2008.


Vlera e përgjithshme e aksioneve të tregtuara në Vjenë gjatë një muaji është sot 3.25 miliardë euro, nga mbi 15 miliardë që ishte më 2007-n dhe është më pak nga vlera e shkëmbyer në bursën e Londrës brenda një dite të vetme. Vjena nuk ka parë kompani të reja të regjistruara që nga koha kur një grup alumini hyri për herë të parë në bursë në prill 2011 me vlerë tregtare prej 411 milionë eurosh.


Ndërkohë, Varshava ka regjistruar 17 kompani të reja vetëm gjatë vitit të kaluar dhe 33 kompani në vitin 2011. Financierët dhe bosët e kompanive në Austri po nxisin politikanët të ndihmojnë rigjallërimin e bursës së Vjenës përmes privatizimeve dhe nxitjes së qytetarëve që të marrin nën pronësi aksione. Drejtori ekzekutiv i “Raiffeisen”, Herbert Stepic, paralajmëroi në shkurt se Austria ka nevojë të rigjallërojë imazhin e vet si treg financiar ose do të eklipsohet nga imazhi i trashëgimisë kulturore që u shitet turistëve.


“Nuk bëhet fjalë vetëm për koncertin e Vitit të Ri, Saçerdotën apo Lipizanerin”, tha Stepic në një takim të kompanive më të mëdha të vendit. “Mesazhi se Austria është në fakt një investitor i rëndësishëm në Europën Qendrore dhe Lindore, është mesazhi që ne duam të dërgojmë.”