Arsimi profesional, Rapti: Viti 2012-2013, stimul për praktikat në eficencë të energjisë


Shpresa Mezini


Nxënësit që ndjekin arsimin në shkollat e mesme profesionale trajtohen me bursa nga shteti. Por, të drejtën për të përfituar nga këto “oferta” nuk e kanë të gjithë adoleshentët, vetëm një pjesë e tyre. “Pjesë e listës së përfituesve janë ata nxënës që plotësojnë kriterin ekonomik, ata që vijnë nga zonat Verilindore dhe Juglindore të vendit, ata që regjistrohen në degët prioritare për zhvillimin ekonomik të vendit, si ndërtimi, bujqësia, teknologjia e informacionit, pyjore e veterinari dhe nxënësit që në vitin e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë kanë mesatare 8.5”, sqaroi për gazetën “Shqip”, Dorina Rapti, drejtoresha e Arsimit Profesional në MASH. Sipas saj, kjo praktikë ndiqet si një mjet stimulimi për të përthithur sa më shumë nxënës në këto institucione parauniversitare. Rapti thekson se bursat janë të plota, çka do të thotë se në të përfshihen të gjitha shpenzimet e nevojshme për një vit shkollor, duke nisur që nga qëndrimi në konvikte, ushqimi në mensa apo tekstet shkollore.


“Bursa varion nga 7 mijë lekë deri në 10 mijë lekë të reja, duke respektuar kriteret dhe largësinë nga shkolla, kushtet thelbësore për ta përfituar atë. Sivjet, për herë të parë, në fokus të politikave të arsimit profesional do të jenë edhe nxënësit që do të zhvillojnë praktikën profesionale pranë shkollave të specializuara profesionale termohidraulike, që do të zgjasë 1-2 muaj. Pra edhe ata që do t’i nënshtrohen kësaj përvoje do të përfitojnë bursë të plotë”, tha drejtoresha e arsimit profesional në MASH. Sipas të dhënave, rezulton se gjatë vitit shkollor që lamë pas kanë përfituar bursë rreth 1700 nxënës, ndërsa sipas Raptit, vitin e ardhshëm parashikohet që kjo shifër të arrijë në 1800.


Bursat


“Ofertat” janë parashikuar për disa kategori. Sipas Planit të Integruar të Ministrisë së Arsimit, objektivat janë që të mbështeten me bursa të gjithë nxënësit nga 16 rrethe të vendit, që zgjedhin të regjistrohen në arsimin profesional. Ndërsa nga ana tjetër, nuk do të mungojë një stimul i veçantë edhe për nxënësit që mësojnë në profilet bujqësi, veterinari, ndërtim dhe pyje. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili e ka firmosur këtë dokument në nëntor të vitit 2009, ka theksuar se Arsimi Profesional përbën një ndër fokuset më të rëndësishme vit pas viti. Bashkëpunimi me partnerë të huaj, mobilizimi i të gjitha kapaciteteve të nevojshme institucionale, sipas ekspertëve të arsimit, do të sjellë zhvillimin e një sistemi modern të arsimit profesional. Krijimi i paketës nxitëse, që përfshin bursa për shkollim dhe fonde për vetëpunësim pas mbarimit të shkollës, nxit interesin për arsimin profesional dhe krijon mundësinë për bashkëpunim me qeverisjen vendore dhe komunitetin. Ndërkohë specialistët e MASH theksojnë se përparësi do t’i jepet edhe arsimit profesional në shkollat private.


 


Shuma – Bursa varion nga 7 mijë lekë deri në 10 mijë lekë të reja, duke respektuar kriteret dhe largësinë nga shkolla


Qëllimi – Viti e kaluar përfituan bursë rreth 1700 nxënës, ndërsa sivjet parashikohet që kjo shifër të arrijë në 1800


Risia – Bursë të plotë do të përfitojnë edhe nxënësit që i nënshtrohen praktikës profesionale në shkollat termohidraulike, 1-2 muaj


 


Përfituesit e bursave


Nxënësit që plotësojnë kriterin ekonomik


Ata që vijnë nga zonat Verilindore dhe Juglindore


Ata që regjistrohen në degët për zhvillimin ekonomik të vendit


Ata që në vitin e 2, 3, 4, 5 arrijnë mesataren 8.5