Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e ftuar në emisionin “Top Story”, ka folur për buxhetin e vitit 2027, mënyrën se si do të shpërndahen fondet publike dhe prioritetet e qeverisë në përdorimin e të ardhurave shtesë.
Ibrahimaj bëri të ditur se fondet që tejkalojnë planifikimin e të ardhurave do të kalojnë në një fond të posaçëm në Bankën e Shqipërisë, me destinacion mbështetjen e pensionistëve. Ajo solli si shembull edhe vitin e kaluar, kur nga ky fond u financua një bonus për pensionistët në muajin korrik.
“Ajo që kemi bërë gjatë vitit të fundit është që të gjitha fondet e shpenzuara, për të cilat kemi pasur të ardhura të paplanifikuara, janë krijuar si rezultat i faktit se vit pas viti kemi tejkaluar planin e të ardhurave. Kjo është një fakt, të paktën për katër-pesë vitet e fundit, që nga viti 2021. Të gjitha fondet që janë përtej planifikimit të të ardhurave i kemi vendosur në një fond të posaçëm në Bankën e Shqipërisë. Këto fonde kanë destinacion të përcaktuar dhe do të shpenzohen për pensionistët, me qëllim rritjen e të ardhurave të tyre. Është diçka që kemi bërë edhe vitin e kaluar. Nëse nuk gaboj, rreth 16 milionë euro shkuan në atë fond të Bankës së Shqipërisë, çka na lejoi që në korrik të jepnim një bonus për pensionistët, i cili nuk ishte i planifikuar, por që ne gjykuam se duhej dhënë. Në fakt, bonusi u shpërnda në korrik. Pra, të gjitha fondet që janë përtej planifikimeve dhe që nuk shpenzohen, do të kalojnë edhe këtë vit, ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, në fondin e posaçëm të Bankës së Shqipërisë për pensionistët”, u shpreh ministrja.
Ministrja u ndal edhe te mosrealizimi i disa shpenzimeve publike, duke theksuar se kjo lidhet me vonesat në zbatimin e projekteve, procedurat e prokurimit dhe ankimimet që përfundojnë në Komisionin e Prokurimit Publik. Për të shmangur këto vonesa, ajo bëri të ditur se qeveria ka vendosur të zgjerojë kompetencat e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, i cili do të marrë përsipër një pjesë më të madhe të procedurave të prokurimit, përfshirë edhe investimet në rrugë dhe rikonstruksione.
“Kjo nuk do të thotë se fakti që sot jemi në suficit është një gjë e mirë. Sigurisht, do të ishte më mirë që paratë të shpenzoheshin sipas planifikimeve. Megjithatë, arsye të ndryshme çojnë në mosrealizimin e projekteve, të cilat ndonjëherë janë edhe jashtë kontrollit tonë. Nuk është domosdoshmërisht një efekt i mosfirmosjes apo i frikës së nëpunësve të administratës për të mos firmosur.
Ndonjëherë ndodh edhe sepse prokurimet ankimohen dhe çështjet shkojnë në KPP, duke bërë që procedurat të zgjaten. Për këto arsye, këtë vit kemi vendosur të ndërmarrim një tjetër nismë. Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të centralizojë të gjitha blerjet e qeverisë. Pra, nuk do të mbulojë më vetëm një pjesë të blerjeve, siç ndodh aktualisht, por do të marrë përsipër një gamë shumë më të gjerë të tyre, përfshirë rrugët dhe rikonstruksionet, të cilat janë ndër shpenzimet më të mëdha dhe zënë një peshë të konsiderueshme në investimet kapitale.
Përveç kësaj, Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të kujdeset për të gjithë procesin. Nëse sot ai kryen vetëm procedurën e prokurimit, nga viti i ardhshëm e tutje, që me miratimin dhe çeljen e buxhetit, do të kujdeset për hartimin e regjistrit të prokurimeve, studimet e tregut dhe të gjithë procedurën.
Pra, synojmë që këto procedura të mos kryhen më nga ministritë e linjës, të cilat deri më tani i zhvillonin në mënyrë të fragmentuar. Në këtë mënyrë synojmë të rrisim eficiencën e shpenzimeve, në mënyrë që të mos e gjejmë veten në fund të vitit me suficit. Megjithatë, ajo që dua të garantoj është se të gjitha paratë shpenzohen. Ka shumë projekte që kanë ecur më shpejt, ndërkohë që disa të tjera mund të jenë më të ngadalta. Në fund të vitit do të shohim se ato do të jenë realizuar. Unë mendoj se këtë vit kemi bërë një buxhet dhe një paketë fiskale, por jo vetëm kaq. Kemi ndërmarrë edhe disa nisma të tjera ligjore, të cilat mua personalisht më bëjnë të ndihem krenare”, tha ajo.
Ibrahimaj foli gjithashtu për ndikimin e politikave fiskale te familjet shqiptare, duke theksuar se përfitimi më i madh pritet të jetë për familjet me të ardhura më të ulëta, ku shpenzimet për ushqime zënë një pjesë më të madhe të buxhetit familjar.
“Sigurisht, përfitimi do të jetë më i madh për familjet me të ardhura më të ulëta. Pra, efekti do të ndihet më shumë te këto familje, ku shpenzimet për ushqime zënë një peshë më të madhe krahasuar me familjen mesatare shqiptare”, tha ministrja.
