Pushimet e gjata të dimrit nuk e kishin zbehur mërinë e socialistëve, të cilët lanë në fuqi përjashtimin 30 ditë pune për 6 deputetë të opozitës, të ndëshkuar për kaosin në seancën e fundit të vitit të shkuar duke i lënë jashtë Kuvendit deri ditët e para të marsit.

Në Byronë e Kuvendit, hallkën e fundit ku ankimohen masat ndëshkuese për deputetët problematikë, pati jo pak debate mes socialistëve dhe deputetëve opozitarë që e konsideruan të padrejtë ndëshkimin e tyre.

Ata akuzuan se përjashtimi erdhi për shkak të revoltës kundër Belinda Ballukut, e cila thonë ata po përdor parlamentin si mburojë politike.

“Pse jemi përjashtuar me 30 dite, sepse protestuam se Belinda Balluku u mor e pandehur nga SPAK dhe, në vend që të mbante përgjegjësi politike, ju e morët në mbrojtje. Në çdo vend demokratik, një zyrtar i akuzuar nga drejtësia jep dorëheqjen”, tha Hoti.

Replikat i vijuan në distancë edhe në rrjetet sociale duke ironizuar njëri tjetrin:

Në fund të mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, demokratët paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Administrative, e cila më herët ka rrëzuar përjashtimet e Kuvendit për deputetët e opozitës.

Për shkak të kaosit në seancën e 23 dhjetor të vitit të kaluar, PS kishte kërkuar ndëshkimin e 29 deputetëve të opozitës, mes të cilëve edhe të kryetarit të grupit Gazment Bardhit, por më të shumtët u amnistuan nga Komisioni i Etikës duke përjashtuar vetëm Belind Këllicin, Fidel Krekën, Albana Vokshi, Klevis Balliun, Flamur Nokën dhe Elda Hotin.