Niveli i ujit në zonën e kënetës së fshatin Myltes në Tale të Lezhës është rritur ndjeshëm gjatë orëve të natës. Si pasojë ka përmbytje në disa rrugë, oborre banesash dhe sipërfaqe bujqësore.

Banorët e zonës janë shprehur se, problemi ka nisur pas çarjes së argjinaturës së kanalit kryesor, e cila shërben si mbrojtje për zonën e banuar.

Çarja dyshohet të ketë lejuar depërtimin e menjëhershëm të prurjeve të mëdha të ujit, duke e vënë komunitetin në rrezik.

Sipas banorëve, uji po shtohet me shpejtësi dhe kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile, ndërsa shprehen të shqetësuar për mundësinë e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.