Një çarje në argjinaturën e lumit Shkumbin, pranë fshatit Labinot Fushë, ka alarmuar mbrëmjen e së enjtes autoritetet lokale në Elbasan, për shkak të rrezikut të përmbytjeve në zonë.
Pas konstatimit të dëmtimit, strukturat e emergjencës janë angazhuar menjëherë në terren. Mjetet dhe ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike, Emergjencave Civile si dhe Bordit të Kullimit janë vendosur në gatishmëri të plotë për të frenuar përhapjen e dëmit, që mund të prekë rreth 200 banesa në Labinot dhe të cenojë funksionimin e pompave të ujit të pijshëm për qytetin e Elbasanit.
Aktualisht po punohet për përforcimin e argjinaturës me rreth 300 blloqe betoni, me qëllim shmangien e përmbytjeve. Ndërhyrja po përshpejtohet edhe për shkak të parashikimeve për përkeqësim të motit, pasi rritja e prurjeve të lumit mund ta bëjë të pamundur vijimin e punimeve në shtrat.
