Protesta duket se po shoqërohet me përçarje brenda radhëve të saj, ndërsa një grup pjesëmarrësish kanë nisur të kërkojnë një organizim të ri politik.
Disa prej protestuesve, të cilët e cilësojnë veten si intelektualë, janë veçuar nga turma me pretendimin se lëvizjes i është marrë zëri dhe se ajo nuk po përfaqëson më qytetarët që kanë dalë në shesh.
Iniciator i këtij grupimi është konspiracionisti Alfred Cako, i cili akuzoi se synimi i disa personave është që vendi të kalojë në kaos.
“Ata duan që vendi të kalojë në kaos”, u shpreh Cako.
Një prej të pranishmëve deklaroi se protestuesve u është marrë përfaqësimi dhe se duhet rikthyer protesta në shesh.
“Ia kanë marrë zërin protestës. Duhet të marrim sheshin që t’i jepet zëri i protestuesve të vërtetë”, tha ai.
Megjithatë, edhe brenda grupimit të ri nuk munguan debatet dhe përplasjet, me disa prej pjesëmarrësve që u përzunë gjatë diskutimeve.
Gjatë mbledhjes u hodhën ide për ndryshimin e formës së protestës dhe për intensifikimin e aksionit politik, me synim largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndër propozimet ishte edhe përfshirja e studentëve në protestë, përmes bojkotimit të mësimit.
“Studentët kur të vijnë, të bojkotojnë mësimin dhe të vijnë në protestë”, u shpreh një nga pjesëmarrësit.
Një tjetër propozoi kalimin nga marshimet e pasdites në forma më të forta proteste: “Të mos vazhdojmë vetëm me ecje pasdite, po të bllokojmë rrugët”.
