Ditën e sotme u caktuan masa e sigurisë për Mario Perlleshin i cili vrau bashkëmoshatarin e tij 14-vjeçar në dalje të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Mario ndodhet i shtruar në një spital privat prej plagëve të marra gjatë përleshjes dhe masa e sigurisë i është dhënë në ambientet e spitalit.

Në video duket momenti kur prokuroja e çështjes Alma Felaj hyn në ambientet e spitalit për t’i komunikuar të miturit masën e sigurisë.

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për 14-vjeçarin Mario Perlleshin, i cili i mori jetën Martin Canit.

Ndaj të miturit është ngritur nga Prokuroria akuza e vrasjes në rrethana cilësuese. Ndërkohë Policia e kishte referuar për akuzën e vrasjes me dashje 14-vjeçarin. Gjithashtu ndaj të miturit rëndon edhe akuza e mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Grupi hetimor është rikthyer ditën e djeshme në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ku dyshohet se autori është larguar me vrap me shokët dhe kushërinjtë e tij. Kamerat janë sekuestruar pasi dyshohet se ka pasur persona të tjerë që kanë marrë autorin dhe e kanë larguar nga vendngjarja.