Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me tentativën e Bledar Selmanajt për t’u arratisur nga burgu i Fierit.

Sipas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për të realizuar tentativën e tretë të arratisjes, Selmanaj kishte lidhur dorën me një peshqir dhe kishte tentuar të çante suvanë e qelisë së tij, duke hapur një vrimë në mur.

Pasi ka arritur të dalë nga qelia, ai ka shfrytëzuar tubat e kullimit për të ngjitur tarracën e burgut. Me vete kishte një litar, të cilin planifikonte ta përdorte për të zbritur dhe për t’u larguar nga qelia. Por, tentativa e tij u frenua nga stafi i sigurisë, i cili arriti ta kapte duke e dërguar në izolim.

Ndërkohë, në shtator të 2021, ai ka tentuar të vetëvritet teksa vuante ndodhej në Burgun e Peqinit, por u pikas nga gardianët, pa mundur ta finalizojë aktin ekstrem. Po në dhjetor të 2021, Selmanaj ka tentuar të arratiset nga spitali i burgut në Tiranë, ku ishte për mjekim.

Bledar Selmanaj është dënuar për vrasjen me armë zjarri të mikut të tij, 25-vjeçarit Xhulian Bullari në vitin 2021 në fshatin Babicë të Vlorës. Ai u arrestua zonën e ish-Bllokut në Tiranë, katër ditë pas krimit.

Njoftimi i Plotë:

Më datë 24.09.2025, rreth orës 03:48, i paraburgosuri Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset. Ai ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.

Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Ky shtetas ka tentuar edhe dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron dhe garanton një nivel të lartë sigurie dhe mbarëvajtje të qetë në sistemin e burgjeve.