Sali Berisha, edhe këtë të mërkurë, është ndalur sërish te IBAR, raporti i vlerësimit të standardeve dhe luftës kundër korrupsionit.
Kreu i PD thotë se Shqipëria” ngeci sërish në procesin e IBAR”, duke shtuar se çdo javë shtohen vendet që e kundërshtojnë.
“Dua të ju informoj se, procesi i vlerësimit të IBAR mbeti në klasë edhe dje. Pra Këshilli i Ambasadorëve që shqyrton këtë raport, që ka të bëjë me zbatimin e themeleve, gjërave themelore, shtetit ligjor dhe luftës ndaj korrupsionit, çdo javë mbetet në klasë. Çdo javë shtohen vendet që e kundërshtojnë”, tha Berisha.
E ndërkohë një ditë më parë, kryeministri Edi Rama i quajti këto deklarata si “fjalë lart e poshtë” plotësisht të pavërteta dhe se Shqipëria është sipas agjendës. Rama shtoi se muaji prill është muaji i diskutimeve intensive.
“Flitet lart e poshtë se negociatat janë ndaluar, kjo është totalisht e pavërtetë. Negociata nuk janë shëtitje në lëndinë por proces testimesh të vazhdueshme. Ky provim që tani zhvillohet mes nesh dhe vendeve anëtare është kyç, por nuk ka asnjë motiv për të folur për bllokim. Jemi sipas agjendës së përcaktuar, prilli është muaji i diskutimeve intensive pasi në fund të marsit janë mbledhur pyetjet e vendeve anëtare. Pas diskutimeve do vijë dhe vendimmarrja”, u shpreh Rama një ditë më parë.
