Përdorimi i reklamave në televizionet kabllore në SHBA nga stafi i Obamës për të arritur në grupe të caktuara votuesish, duket se ka qenë çelësi i suksesit në garën presidenciale, bën të ditur “Reuters”. Në javët e fundit para zgjedhjeve të 6 nëntorit, ndërsa sondazhet flisnin për një garë të ngushtë, Obama shfrytëzoi televizionet kabllore për të reklamuar veten para votuesve gra nëpër kanale të tilla si televizioni i ushqimit apo në rrjete televizive me audiencë më të madhe, meshkuj. Skuadra e tij përdori segmentimin e shikuesve të televizioneve kabllore për të krijuar avantazh të plotë për veten duke i përshtatur mesazhet elektorale me grupin e njerëzve përkatës.


Ndërkohë, Romney duket se humbi pasi u bazua më shumë te televizionet tradicionale me valë, ndërsa stafi i tij nuk kishte informacionin e duhur se si po funksiononin reklamat e Obamës në rrjetet kabllore. Gara në ditët e fundit u ngushtua në disa konte kyç në disa shtete të luhatshme, rezultati i të cilave qe i pasigurt dhe këtu Obama doli më i fortë duke përdorur me eficencë fondet e fushatës së vet përmes targetimit më të saktë të audiencës.


Rezultati duket se erdhi në një përplasje klasike të trupit kundër mendjes. Kandidati republikan dhe grupet mbështetëse të tij rezulton se kanë paguar më shumë para për reklama sesa Obama dhe mbështetësit e tij, por Obama ia doli duke u përqendruar në grupe të vogla votuesish në shtetet kryesore të betejës elektorale.


Zgjedhjet e fundit tregojnë edhe një ndryshim tendence. Historikisht reklamat politike kanë qenë në masën dërrmuese të destinuara për televizionet me transmetim ajror, ndërsa kabllorët merrnin shumë pak reklama. Në zgjedhjet e fundit, pjesa e kabllorëve u rrit ndjeshëm, pavarësisht se televizionet tradicionale vijuan të mbajnë pjesën më të madhe. Obama kishte edhe një avantazh tjetër, pasi qe në gjendje të blinte reklama në televizion shumë muaj para kohës së zgjedhjeve, gjë që i mundësoi të kapë çmime shumë më të lira sesa Romney për reklama në të njëjtat kanale e në të njëjtat programe. Romney nuk e kishte këtë mundësi, pasi qe i zënë në garën brenda republikanëve për nominim si kandidat për President, garë që thjesht nuk ekzistonte në rastin e Obamës.