Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje partive politike që kanë anëtarë në KZAZ dhe në grupet e numërimit të votave, të marrin përgjegjësinë që u takon për të nxitur numëruesit dhe komisionerët ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, që ky proces të përfundojë brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të ditës së sotme.

Sipas kreut të KZ, Ilirjan Celibashit, nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati.

“Duke njohur dhe respektuar të drejtën e kandidatëve për deputet për të vëzhguar dhe mbikëqyrur procesin e numërimit, i ftojmë ata të shmangin çdo përfshirje në komunikime të panevojshme apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve. Përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe përfundimin e procesit. Nëse situata nuk do të ndryshojë brenda afatit të përcaktuar, me keqardhje njoftojmë se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore.”– thuhet në reagim.