Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë mesditë në homazhet në nder të Servet Pëllumbit, një figurë e shquar e politikës shqiptare që u nda nga jeta një ditë më parë.
Rama ka mbajtur dhe një fjalim nderi për Pëllumbin, ku ka folur rreth raportit mes tyre, teksa tha se “Profesori” përfaqësonte gjithçka që Rama nuk simpatizonte. Sipa kryeminsitrit, Servet Pëllumbi ishte konservator, marksist-leninist dhe sovjetik. Megjithatë, ai shtoi se nga afër ka njohur një njeri shumë progresist, dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe dhe solidar.
“Për së pari, dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet e mia gjithë familjes dhe të afërmve të profesorit dhe nga ana tjetër të falënderoj Namikun që ndau zemërgjerësisht këtë përgjegjësi për të folur për profesorin, gjë që e prita me shumë lehtësim sepse isha në pamundësinë e plotë për të përgatitur një fjalë, siç do duhej të përgatitej një student përpara profesorit.
Po ndërkohë edhe për faktin se unë profesorin e kam njohur pak dhe e kam njohur përgjithësisht nga larg. Për hir të vërtetës dua të kujtoj këtu se marrëdhënia ime me të është një marrëdhënie tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe pastaj e një simpatie reciproke në afërsi.
Për vite, qëkurse e kam parë të shfaqet në sytë e mi, profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja; konservator, marksist-leninist, sovjetik, e të gjitha ato që e shoqëronin figurën e tij kur vinte fjala për sulmet dhe për etiketimet që i bëheshin dhe ka qenë një nga mësimet më të çmuara të gjithë këtij rrugëtimit tim përballja me realitetin e njeriut përtej etiketimeve dhe kornizimit të tij në sferën publike dhe për surprizën time, kam njohur një njeri shumë progresist, një njeri shumë dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe dhe një njeri solidar me mua në momente të vështira, i cili befasisht shfaqej në ekranin e celularit tim në mënyrë të papritur duke më çuar fjalë inkurajuese dhe duke më ndihmuar të shoh se përtej një momenti të vështirë dhe përtej atyre që dukeshin, kishte një kategori njerëzish, të cilët e ndiqnin dhe e vlerësonin një situatë të caktuar me qetësi edhe me vërtetësi.
Kur më shkruajti Beni që profesori kishte ndërruar jetë, më erdhi si e papritur për faktin e thjeshtë se nuk e di pse isha mësuar me idenë që profesori ecte çdo ditë edhe më dukej si diçka e paravendosur që ai do ecte gjithmonë dhe në ato pak raste kur e kam takuar, e gjeja gjithmonë në formë dhe gjithmonë të dëshiruar për të folur për ato tema që ai kishte për zemër.
Natyrisht që kur një njeri largohet, shumëçka që lidhet me të afrohet, por besoj se edhe kur ky afrim i gjërave si rezultat i momentit të tretet në kohë, profesori do të mbetet një pikë referimi në historinë e ndryshimeve dhe të ndryshimit të epokave siç e përmendi Namiku, e padyshim një pikë referimi edhe për të gjithë ata që do të duan një ditë të kuptojnë dinamikat edhe historinë e vetë Partisë Socialiste.
Ajo që është ende më e rëndësishme në këndvështrimin tim, është kujtimi që ai lë mbrapa. Besoj që me zë ose pa zë, gjithsekush që e ka njohur, e kujton dhe do ta kujtojë si në burrë të mirë, si një burrë të ndershëm, si një burrë të mençur dhe mbi të gjitha si një burrë babaxhan.
E kështu uroj ta kujtojnë gjithmonë, jo vetëm djemtë, por edhe mbesat, nipërit dhe të gjithë të afërmit e tjerë duke shprehur me dhembje edhe urimin që të prehet i qetë në paqe, siç e ka merituar me jetën dhe me kujtimin që lë mbrapa”, tha Rama.
