Nga gomonet, shqiptarët kaluan tek format botërore të trafikut. Një prej tyre është ajo përmes pasaportave false. Inside Story zbërtheu me detaje një prej grupeve të fuqishme që operonte me baza nga Shqipëria, në Kosovë, Spanjë, Portugali e më gjerë, vende tranzit që çonin emigrantë drejt SHBA-së, Kanadasë, Britanisë e më tej.
Nga ajo që konstatohet nga provat materiale, ka të dhëna që mund të jemi përballë një grupi që nuk ka synim vetëm emigrimin ilegal, por edhe përvetësimin e pronave përmes dokumenteve të falsifikuara. Kjo del qartë pas sekuestrimit të laboratorit të falsifikatorëve që ndodhej në banesën e shtetasve Ulli dhe Pjerin Brahimaj, babë e bir.
Brenda këtij laboratori u gjetën pajisje të ndryshme për prodhimin e tyre, kompjutera dhe laptopë me të dhëna të shtetasve shqiptarë dhe kombësive të ndryshme, kryesisht amerikane, greke, franceze, italiane, etj. Janë gjetur certifikata pronësie të falsifikuara dhe akte noteriale të ndryshme të falsifikuara.
Nuk dihet nëse është krijuar një fraksion i ri për verifikimin e dokumenteve të falsifikuara për pronat, por ky zbulim përbën një provë të fortë që mund të çojë tek tjetërsimet e trojeve. Plaga e madhe që ka zhveshur nga të drejtat pronarët, duke ua kaluar zhvatësve.
Pra, mjafton të gjendej kontakti me këtë grup dhe ata mund të prodhonin dokumente nga më të ndryshmet që më pas përdoreshin në proceset gjyqësore e deri në regjistrimin e pasurive. Është ende i paqartë dëmi që ka shkaktuar ky grupim në drejtim të pronave, por rasti konfirmon fenomenin që ka ndodhur rëndom ndër dekada.
Në grupin e falsifikatorëve, një tjetër person i konsideruar mjaft aktiv është edhe shtetasi Gridi Elezi. Ai del në komunikime dhe survejime të shumta teksa flet për porositë e ndryshme që merr. Për të gjithë punët, pika e tij e kontaktit është Njazi Ademaj, pra, personi i njohur si ‘El Çapo’.
Top Channel
