Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve kanë denoncuar mungesën e mbledhjes për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas tyre, ky veprim hap rrugën për arrestimin e saj, ndërsa ata kanë akuzuar Kuvendin për bllokimin e procesit, duke e konsideruar si një veprim të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, anëtarët e PD-së kanë theksuar se Kuvendi, nën urdhërin e Ramës, po mban peng zhvillimin e mbledhjes, dhe se kryeparlamentari Niko Peleshi po i mban të kyçura zyrat e Kuvendit. Sipas tyre, rregullorja e Kuvendit e mundëson thirrjen e mbledhjes nga 5 anëtarë, por kjo mundësi është penguar.
“Ndryshe nga sa përcakton rregullorja, sipas së cilës mbledhja e Këshillit mund të thirret nga 5 anëtarë, Niko Peleshi vazhdon t’i mbajë të kyçura zyrat e Kuvendit, duke mbrojtur të korruptuarën Belinda Balluku”, thuhet në deklaratën e PD-së, e cila gjithashtu pohon se deputetët e PD-së nuk kanë mundur të marrin pjesë në mbledhje për shkak të dyerve të mbyllura.
