Kërkesa e SPAK për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku ka mbetur ende pezull. Këtë të mërkurë, në orën 12:00 ishte parashikuar që të mblidhej Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK, por Kuvendi njoftoi shtyrjen e mbledhjes pa afat. Përmes një njoftimi publik, Kuvendi bën me dije se mbledhja është shtyrë për një tjetër datë të pacaktuar, me kërkesë të socialistëve të cilët, kanë kërkuar që të pritet fjala e Kushtetueses. Kjo lëvizje vjen ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim për rastin Balluku, pas shqyrtimit të ankimit të qeverisë, pasi në mbledhjen e djeshme mësohet se trupi gjykues ka kërkuar më shumë kohë, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Belinda Balluku u pezullua nga detyra si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë më 20 nëntor, pas hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë vendim deri në shqyrtimin e plotë të çështjes
