Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në SPAK kallëzim penal për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, ndaj Kryetari të Kuvendit Niko Peleshi.

Në arsyetimin e saj, PD thotë se kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka bllokuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK që kërkon heqjen e mandatit të Ballukut me qëllim arrestimin e saj.

Kallzimi i PD:

Rezulton se me shkresën nr. 43019 prot., datë 16.12.2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes, zëvëndëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur në datën 19.12.2025, ora 10:30, për shqyrtimin e kësaj kërkese. Në mënyrë arbitrare, pa një vendimmarrje të Këshillit, kryetari i Kuvendit ka ndërprerë mbledhjen, pa caktuar mbledhjen e ardhshme, me arsyetimin sipas tij për t’iu dhënë kohë anëtarëve dhe palëve të njihen me dokumentet shoqëruese të kërkesës së Prokurorisë.

Duke shfrytëzuar të drejtën që iu njeh neni 13, pika 6, e Rregullores së Kuvendit, 5 deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, përkatësisht me kërkesat e datave 22 Dhjetor, 23 Dhjetor, 29 Dhjetor, 30 Dhjetor 2025 dhe 6 Janar 2026. Në përmbajtje të këtyre kërkesave, deputetët kanë arsyetuar se pasur parasysh precedentët e mëparshëm, koha ka qenë mëse e mjaftueshme për t’u njohur me aktet dhe përgatitur mbrojtjen, si dhe duke mbajtur në konsideratë qëndrimin e Prokurorisë të shprehur me shkrim dhe me gojë gjatë mbledhjes së parë lidhur me natyrën e ngutshme të kësaj kërkese dhe prishjen e provave (intimidimin e dëshmitarëve) nga e pandehura Belinda Balluku, është e nevojshme që Këshilli të mblidhet sa më shpejt për vijimin e shqyrtimit të kërkesës, me qëllim që të mos bëhet pengesë për mbarëvajtjen e hetimeve.

Megjithëse, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, referuar nenit 13, pika 6, të Rregullores së Kuvendit, kishte detyrimin për mbledhjen e Këshillit dhe njoftimin e rendit të ditës, ai ka refuzuar kërkesat e përsëritura të pesë anëtarëve të Këshillit, në mënyrë tërësisht arbitrare dhe të paligjshme, duke cënuar njëkohësisht të drejtën e ligjshme të deputetëve për të thirrur mbledhjen e Këshillit, dhe si rezultat i zvarritjeve të pajustifikuara edhe mbarëvajtjen e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme. Në këto kushte, është e qartë se shtetasi Niko Peleshi, me detyrë kryetar i Kuvendit, ka konsumuar katër elementët e anës objektive të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke refuzuar mbledhjen e Këshillit dhe njoftimin e rendit të ditës (mosveprimi), në kundërshtim me nenin 13, pika 6, të Rregullores së Kuvendit (në kundërshtim me ligjin), duke shfrytëzuar funksionin e tij si Kryetar i Kuvendit (funksioni publik), duke dëmtuar kështu të drejtën e deputetëve për mbledhjen e Këshillit dhe mbarëvajtjen e hetimeve penale (dëmtimi i interesave të shtetit dhe të shtetasve).