Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për çështjen që lidhej me prishjen e një pallati në zonën e Kombinatit pas tërmetit, duke shpallur të pafajshëm Aurel Boriçin, si dhe ish-zyrtarët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Sokol Qehajaj dhe Rexhina Rakipi.
Ndërkohë, gjykata ka dënuar Shyqyri Malokun me 9 muaj burg për veprën penale të falsifikimit, ndërsa Aleksandra Mahmutllari është dënuar me 6 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në punë në interes publik.
Të pandehurit ishin vënë nën hetim për dyshime mbi shkelje të procedurave ligjore gjatë shembjes së një objekti të dëmtuar nga tërmeti, ku pretendohej se veprimet ishin kryer pa një vendim të këshillit bashkiak.
Sipas arsyetimit të gjykatës, organi i akuzës nuk arriti të provojë përtej dyshimeve akuzat e ngritura ndaj personave të shpallur të pafajshëm.
