Zef Bregu rrëfen se për një vit duhet të paguajë 17 milionë lekë
“CEZ na ka kërkuar që të vazhdojmë të paguajmë faturat e fryra, pasi problemi do të verifikohet”
Ardi Hoti
Akuzat për mbifaturim të energjisë elektrike nuk kanë munguar prej kohësh, por asnjëherë nuk të shkonte mendja se një çift pleqsh, të cilët jetojnë vetëm dhe ngrohen me gaz, pasi çmimi i energjisë është i lartë, do u duhej të përballeshin me një faturë mujore të energjisë elektrike, me vlerë 11 milionë e gjysmë lekë të vjetra. Kjo nuk është pjesëz e ndonjë barsolete shkodranësh, pavarësisht se historia ka ndodhur pikërisht në qytetin e Shkodrës, por është shqetësimi i ngritur nga çifti Bregu, të cilët janë ankuar në të gjitha institucionet përkatëse dhe nuk kanë gjetur zgjidhje. E jo vetëm kaq, por çifti Bregu, për të gjithë vitin 2012 duhet të paguajë rreth 17 milionë lekë të vjetra, pra edhe 5.5 milionë lekë më tepër se fatura e dhjetorit.
Lula dhe Zef Bregu denoncojnë shqetësimin e tyre, duke treguar faturat që u ka dërguar CEZ-i, ku vetëm për muajin dhjetor 2012, i ka shkuar një faturë 11 milionë e gjysmë lekë të vjetra. 75-vjeçari rrëfen se jeton vetëm me të shoqen në një banesë në lagjen “Dobrac”, në periferi të Shkodrës, dhe askush nuk u ka hapur derën për këtë shqetësim, ndërkohë që frikësohet se veç ndërprerjes së energjisë mund t’u ndalojnë edhe pensionin për shkak të borxhit, sikur banesa e tyre të ishte fabrikë prodhimi. Ndërsa e zonja e shtëpisë rrëfen se konsumi i tyre është shumë modest, pasi nuk kanë as aktivitet privat dhe as kondicioner në banesë dhe për më tepër, për ngrohje përdorin gaz. Duke folur për gazetën, Lule Bregu shprehet se këto fatura, jo vetëm që nuk janë reale, por bëhen qesharake ku për një muaj vjen ajo shifër për konsumim të energjisë elektrike. Kurse Zef Bregu shprehet se zotëron librezat e shlyerjes së detyrimeve të rregullta të energjisë që nga koha e diktaturës e deri në momentin kur i kanë ardhur faturat e fryra. Ai rrëfen se pavarësisht gabimit të bërë me mbifaturimin e energjisë elektrike, CEZ-i nuk po bën asgjë për të korrigjuar këtë veprim. Në një intervistë për “Shqip”, ai tregon sesi ka nisur historia e faturave që para një viti.
Prej sa kohësh keni problem me faturat e energjisë?
Gjatë gjithë vitit 2012. Në fillim më sollën katër milionë lekë (të vjetra). Më pas më erdhën 11 milionë dhe disa muaj të tjerë nga 700 mijë lekë. “Është e pabesueshme që për një muaj më kanë ardhur 73 mijë kilovat, që janë 11 milionë lekë të vjetra, e barabartë me konsumin e 100 familjeve. Nuk arrij t’i kujtoj këto fatura. Në muajin shkurt më sollën faturën e energjisë, ku thoshin se kisha harxhuar 11 milionë lekë drita. Kur u ankova më sollën një faturë tjetër, duke më thënë se ishte debi për muajin dhjetor. Përfundimisht më thonë se jam borxh 17 milionë lekë te CEZ-i.
Keni bërë ankesa për këto fatura?
Kam muaj të tërë që sorollatem zyrave, ankesën e fundit e kam bërë para një muaji. Kam qenë edhe në prokurori. Kam qenë te CEZ-i, në të gjitha zyrat dhe asgjë nuk është bërë. Nuk më është dhënë asnjë zgjidhje.
Çfarë përgjigje keni marrë?
Asgjë, vetëm më thonë vazhdo paguaj faturat që të vijnë se ato shumat do të verifikohen. Kanë ardhur dy herë për të kontrolluar sahatin dhe ka dalë gjithçka në rregull. Unë kërkoj që ajo shumë të më hiqet, të fshihet nga kompjuteri. Më kanë bllokuar jetën me këto fatura. Nëse nesër më duhet të shes shtëpinë, nuk e shes dot, pasi duhet të paguaj 17 milionë lekë të vjetra. Unë kërkoj vetëm drejtësi, nuk dua mëshirë. Kërkoj të drejtën time dhe CEZ-i duhet të më kërkojë të falur për shqetësimin tepër të madh që më ka sjellë prej një viti.