Kukës


Sulejman Dida


Për dy ditë me radhë, banorë të fshatit Shtiqën kanë protestuar te nënstacioni i elektrikut në Rexhepaj kundër masave që po ndërmerr CEZ-shpërndarje ndaj konsumatorëve të kësaj zone. Për shkak të mospagimit të faturave, kompania e shpërndarjes së energjisë kishte ndërprerë furnizimin me energji elektrike të fshatrave të Komunës Shtiqën, ashtu siç ka bërë disa ditë më parë edhe me disa fshatra të tjerë.


Por, banorët e Shtiqënit kanë protestuar duke krijuar një situatë të nderë mes CEZ-it, policisë dhe banorëve. Këta të fundit bllokuan edhe autostradën për më shumë se një orë. Për shkak të protestës, gjatë natës së shkuar, operatorët kompetentë ndërprenë furnizimin e me energji për gjithë rrethin e Kukësit për më shumë se 6 orë. Edhe dje paradite banorët e Komunës Shtiqën u grumbulluan në autostradë në afërsi të nënstacionit, si dhe tek ura gjashtëmetroshe, 3 km larg Kukësit, duke kërcënuar se nëse CEZ nuk heq dorë nga masat ndëshkuese kolektive për banorët e zonës, ata do të bllokojnë përsëri autostradën e kombit. Banorët argumentojnë se nuk kanë mundësi të paguajnë, pasi jetojnë nën nivelin e varfërisë, ndërsa shumë prej tyre thonë se shteti duhet t’i kompensojë për tokat e përmbytura nga hidrocentrali i Fierzës, nga ku prodhohet kjo energji që u kërkohet ta paguajnë.


Policia e rendit ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes dhe është përpjekur për të mbajtur situatën nën kontroll. Tensionime ka pasur edhe mes drejtuesve të ndryshëm të mjeteve në autostradë dhe protestuesve. Nga ana e tij, prefekti i Kukësit, Elez Maçi, i pyetur për ngjarjen tha se mbështeste zbatimin e ligjit dhe se pretendimi banorëve për dëmshpërblimin e tokave të përmbytura nuk ka lidhje me faturat e energjisë, të cilat i takojnë një operatori privat. “Dëmshpërblimi për tokat e përmbytura nga Hidrocentrali i Fierzës është një çështje tjetër, dhe që për shumë banorë konsiderohet i zgjidhur, kurse faturat e energjisë janë një çështje e tregut”, tha ai duke kërkuar për të kryer pagesën e rrymës së konsumuar. Disa ditë më parë, nëpunësit e CEZ-it, të mbështetur me polici private, shkuan për të prerë dritat në fshatrat e Komunës Tërthore, ku u përzunë me hunj, duke i rrahur dhe duke ua thyer xhamat e mjeteve.