Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditura disa prej prioriteteve të qeverisë pas takimit me anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe drejtuesit e agjencive në Pogradec.
Gjatë një komunikimi live në Facebook, Rama u ndal te disa prej çështjeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët, mes tyre shëndetësia, arsimi, cilësia e jetës dhe çmimet e produkteve bazë.
Sa i përket çmimeve, kryeministri bëri me dije se qeveria po përgatit një plan që synon të rrisë transparencën në treg dhe t’u japë qytetarëve më shumë informacion mbi çmimet e produkteve ushqimore.
Rama theksoi se qeveria nuk synon të vendosë çmime në mënyrë administrative, pasi Shqipëria funksionon në një sistem të lirë tregu.
“Kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, plani do të bëhet publik sapo të përfundojë konsolidimi i tij dhe të përcaktohen mekanizmat konkretë të zbatimit.
Kryeministri foli gjithashtu për objektivin për ndërtimin e një “Shqipërie sociale”, ku fokusi i qeverisë do të zhvendoset më shumë te shëndetësia, arsimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës.
Rama tha se rritja e mundësive ekonomike dhe zhvillimi i vendit krijojnë hapësirë për një qasje të re në qeverisje, duke e lidhur këtë me kalimin nga një fokus te mbijetesa drejt përmirësimit të standardit të jetesës.
Ai deklaroi gjithashtu se qeverisja do të përmirësohet përmes përvojës, dijes dhe përdorimit më të mirë të burimeve njerëzore.
Plani për transparencën e çmimeve pritet të prezantohet në një fazë të mëtejshme, pasi qeveria të ketë përcaktuar të gjitha detajet e tij.
