Edhe pse kanë kaluar tashmë 5 ditë, ende nuk dihet shkaku i shpërthimit të zjarrit në pallatin 10-katësh në zonën e ish-Nisharakut, në Tiranë.

Mësohet se policia e ka referuar si aksidentale ngjarjen, megjithatë hetimet për zbardhjen e plotë vijojnë.

Uniformat blu janë në pritje të autorizimit nga prokurori i çështjes për të vijuar me marrjen në pyetje edhe të personave të tjerë, përfshirë këtu pronarin e pallatit Tanush Mëhillaj. Policia akoma nuk ka në dorë akt-ekspertimin e analizës, për llojin e materialit që është veshur fasada e jashtme e pallatit, e cila rezultoi fatale për përhapjen e zjarrit.

Ndërkohë, ekspertët e zjarrfikëses vijojnë punën për të zbuluar shkakun e zjarrit, kur deri në daljen përfundimtare të ekspertizës duhen edhe disa ditë, teksa paraprakisht shkak dyshohet të ketë qenë mbinxehja e kondicionerit.

Zjarri nisi paraditen e 14 shtatorit, duke përfshirë disa kate të pallatit, ndërsa fatmirësisht nuk pati viktima apo persona të lënduar pasi banorët që jetonin aty janë evakuuar.