Policia ka sqaruar situatën lidhur me një substancë në formë tableti, në ngjyrë jeshile, e cila dyshohej se mund të përgjumte fëmijët.
Pas analizave të kryera nga Sektori i Toksikologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), është konstatuar se tableta nuk përmban asnjë lëndë psikotrope, por përmban vitaminë E.
Në njoftimin e policisë, thuhet se gjatë kontrollit në një shkollë në Yzberisht u sekuestrua një tabletë jeshile, e cila u analizua për të përcaktuar përbërjen e saj. Pavarësisht këtij rezultati, policia do të vazhdojë të monitorojë dhe kontrollojë situatën në të gjitha shkollat për të siguruar sigurinë e fëmijëve.
Policia inkurajon prindërit dhe mësuesit të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo situatë të dyshimtë.
“Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e premte, më datë 25.10.2024, për një substancë në formë tableti, në ngjyrë jeshile, që dyshohet se përgjum fëmijët, ju njoftojmë se:
Në vijim të kontrolleve të ushtuara, në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP, është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E.
Pavarësisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat e Policisë do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat”