Eksperti i IT, Erion Demiri ishte i ftuar sot në emisionin “Breaking” në Top News, ku foli në lidhje me skemat e mashtrimit online, ndaj të cilave po bihen pre shumë shqiptarë së fundmi.

Eksperti u ndal veçanërisht tek një lojë fati online, e quajtur “Rruga e Pulës”. Sipas Demirit, në Shqipëri po qarkullojnë kopje jo zyrtare të kësaj loje, të krijuara nga grupe kriminale, që qëllim kryesor kanë vjedhjen e të dhënave dhe parave të shqiptarëve.

“Rruga e Pulës është një lojë elektronike që në Shqipëri po tenton të mashtrojë qytetarët. Kjo si lojë është genuine, ofrohet nga platforma goxha të mëdha që janë platforma reale dhe që mund të luash vërteta me format e kazinosë që ne i njohim. Ka marrë goxha famë kryesisht në Indi. Por ajo që ndryshon, është se janë krijuar kopje të kësaj loje nga grupet kriminale me qëllim mashtrimi ne qytetarëve dhe vjedhjen e parave të tyre. Ata e reklamojnë sikur është e njëjta lojë, por skemat që përdoren janë nga më të ndryshmet. Janë shumë kopje të kësaj loje, që e ofrojnë duke mashtruar.

Është një lojë fati por algoritmi mund të manipulohet. Në këtë rast është një pulë që kalon në një rrugë dhe sa më shumë të kalosh, aq më shumë fiton. Por ndryshimi është që nëse fut të dhënat, je i rrezikuar. Në këtë rast, kërkohen të dhënat e bankës. Këto kohët e fundit janë shtuar mashtrimet e tilla, që po i drejtohen më shumë shqiptarëve. Kjo sepse pjesa më e madhe e popullsisë është e paditur, e po ashtu rrjedhja e disa informacioneve sensitive vite më parë na ka bërë më të ekspozuar.”– tha ai.