Kryeministrit Edi Rama ka dhënë një intervistë të veçantë për ‘The Europe Conversation’ me  Euronews.

Ndër të tjera, Rama u pyet dhe për marrëdhënien me kryeministren italiane Giorgia Meloni, të cilën e cilësoi unike. Rama tha me homologen kanë një kimi të veçantë, pasi Giorgia është një person që nuk ka vetm fjalë, por më shumë vepra.

Pjesë nga intervista:

Tashmë, keni hyrë në atë që shihet gati si faza e fundit e negociatave, pastaj do të jetë edhe çështje politike, sepse do t’ju duhet të bindni 27 krerët e shteteve. Cilin konsideroni aleatin tuaj më të madh? Për, mua që e shoh nga jashtë, Giorgia Meloni është mikja juaj më e mirë në Europë, apo jo?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, nuk dua të hyj këtu, sepse nuk do të ishte e drejtë në raport me miqësinë shumë të vërtetë dhe shumë bujare që po na ofrojnë shumë njerëz në këtë rrugëtim.

Moderatorja: Po keni një kimi të veçantë, është e dukshme. Çfarë ju pëlqen tek ajo?

Kryeministri Edi Rama: Tani, jeni kureshtare, sepse ajo është një grua, ju jeni një grua. Më duhet të them se kur bëhet fjalë për Italinë, ka diçka shumë të veçantë midis Shqipërisë dhe Italisë, në përgjithësi dhe të gjithë kryeministrat italianë, pavarësisht partisë apo ngjyrave politike të qeverisë janë treguar shumë të mirë me ne. Me Giorgian ka një kimi mjaft të veçantë, nuk e fsheh dot, sepse është shumë e dukshme apo jo? Përtej kësaj, megjithatë, ajo është një njeri që priret më shumë të bëjë sesa të flasë, çka, më duhet të them, nuk është tipike italiane, por ajo është e tillë.

Moderatorja: A do të ishte më e mirë Europa, po të kishte më shumë udhëheqës si Giorgia Meloni?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, Giorgia është e vetme në llojin e saj dhe nuk jam i sigurt nëse mund të përsëritet, por nuk ka aspak dyshim se më shumë gra në pozicione drejtuese do ta ndihmojnë Europën të jetë më e fortë dhe kjo është e qartë kur sheh Presidenten e Komisionit të Bashkimit Europian, kur sheh Giorgian, Mette Frederiksen. Të gjitha këto gra janë jashtëzakonisht të forta dhe i bëjnë burrat të duken se iu duhet të përmirësohen.

Moderatorja: Kur vjen fjala për Shqipërinë në kontekstin europian, e dëgjojmë shpesh në fjalinë “modeli shqiptar”. Jam e sigurt që e dini për çfarë bëhet fjalë. Është e qartë që ka lidhje me marrëveshjen për migracionin që keni lidhur me italianët. Tashmë, ata kanë ngritur një qendër migracioni ku zbatohet juridiksioni i tyre, por është toka juaj. Kur dëgjojnë “modelin shqiptar”, shumë njerëz e mendojnë apo supozojnë si humbje e sovranitetit të një vendi, që është i juaji. A është e padrejtë kjo?

Kryeministri Edi Rama: Çfarë do të thuash me sovranitetin?

Moderatorja: Keni polici nga një vend tjetër, forca ligjzbatuese nga një vend tjetër.

Kryeministri Edi Rama: E dini, Italia nuk është një vend tjetër. Italia është Shqipëria që presim me padurim të kemi. Italianët janë shqiptarë të veshur nga Versace. Jemi të njëjtët njerëz, flasim dy gjuhë të ndryshme, na bashkon i njëjti det, na pëlqejnë shumë gjëra të njëjta…