Një aksident është regjistruar gjatë orëve të natës në afërsi të ish-“Turizmit të Ri” në Kukës.
Nga informacionet paraprake bëhet e ditur se në orët e para të mëngjesit, kalimtarë të rastësishëm kanë konstatuar praninë e një automjeti të dëmtuar rëndë, i cili ishte shkatërruar pas një përplasjeje të fuqishme nga mbrapa.
Mësohet se automjeti i aksidentuar është i markës “Benz”, me targa “AA 428 CT”. Dyshohet se makina ka qenë e parkuar në momentin e përplasjes, ndërsa goditja ka qenë aq e fortë sa e ka zhvendosur rreth 50 metra nga vendi fillestar, duke rrëzuar edhe një shtyllë ndriçimi në trotuar.
Policia nuk ka pasur asnjë njoftim për ngjarjen gjatë natës dhe është informuar vetëm pasi makina u gjet në mëngjes.
Nga ana tjetër, automjeti tjetër i përfshirë në aksident është larguar nga vendngjarja dhe aktualisht nuk ka asnjë informacion për të.
Ende nuk dihet nëse në momentin e përplasjes në automjetin e dëmtuar ka pasur persona brenda, përfshirë drejtuesin apo pasagjerë.
Burime lokale bëjnë me dije se gjatë orëve të vona të natës, shumë të rinj në Kukës shndërrojnë rrugët e qytetit në pista garash, çka ka shkaktuar disa aksidente të rënda. Vetëm gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar tre aksidente serioze në këtë zonë.