Policia e Tiranës ka zbuluar një ambient të fshehtë të kthyer në laborator për falsifikimin e diplomave dhe dokumenteve zyrtare, gjatë operacionit të koduar “Laboratori”.
Në pranga ka rënë një 51-vjeçar, Abas Tafa, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij në Zall-Bastar u gjetën qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara, përfshirë diploma shkolle, universitare dhe licenca profesionale.
Sipas Policisë, ambienti ishte i pajisur posaçërisht për prodhimin e këtyre dokumenteve të paligjshme.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet nga Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Laboratori”.
Zbulohet një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, si dhe licencave profesionale.
Sekuestrohen qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme, që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Vihet në pranga një shtetas.
Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Laboratori”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. T., 51 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, në Zall-Bastar, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master dhe licencave profesionale.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



