Një prej problemeve më masive që konstatohet tek bukët është niveli i proteinave. Ky tregues përbën një prej drejtimeve kryesore që ndiqen edhe në praktikat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Referuar udhëzuesve dhe manualëve zyrtarë të miratuar, niveli i proteinave duhet të jetë në masën 12 %.
“Do të duhet patjetër që të gjitha dyqanet, është edhe ligji për vlerat ushqyese të bukës, që do të thotë etiketa ushqimore, e di që buka shitet brenda ditës apo të nesërmen por përsëri do të duhej që për secilën prej atyre bukëve që shiten në dyqane duhet të ketë një analizë që përcakton vlerat ushqimore të secilës prej tyre pasi përbërja shpesh herë është komplet e ndryshme nga njëra-tjetra”, u shpreh Sokol Abazi, kimist.
Në mostrën e parë të bukës masive rezultati është 11 %. Fjala është për të njëjtën furrë ku u konstatua edhe mashtrimi me bukën integrale. Ndërkohë, në mostrën e dytë, rezultati është 11,78 %. Pra, rezulton se buka masive në të dy furrat nuk është e shëndetshme. Mungesa e proteinave paralajmëron dobësimin e metabolizmit në organizëm.
Nëse për 2 mostra rastësore rezultoi se niveli i proteinave është nën normë, pyetja që ngrihet natyrshëm është: Po nëse do të zgjerohet kampioni, sa masive do të jetë kjo situatë?
“Nga pikëpamja epidemiologjike kur diçka del me shumë pak mostra pra në këtë rast me dy kampione dhe shihet që njëri prej të dyve ka sasi kaq të lartë do të thotë që problemi duket që është relativisht i përhapur përsa kohë gjendet me kaq pak ekzaminim apo hetim. Normalidsht po të kishte qenë një problem shumë më i vogël do të duhej një nivel shumë më i madh mostrash për të arritur të kapin një pikë probkematike”, u shpreh Ilir Alimehmeti, mjek.



