Kryeministri Edi Rama ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për mediat ku në fokus ka qenë situata në veri të Kosovës.
Teksa ishte në fund të fjalës së tij dhe në përfundim të pyetjeve nga gazetarët gjithashtu, një prej gazetareve të pranishme e pyeti se çfarë informacioni përmbanin dy fletat që Ramës i erdhën në tavolinë nga stafi i tij.
Duke mohuar faktin që informacioni në ato letra kishte të bënte me temën e sotme të konferencës, Rama ka treguar se një prej tyre kishte të bënte me inceneratorët, tjetra me koncesionin e sterilizimit.
“Nuk kishte lidhje me Kosovën. Njëra ishte për inceneratorët, tjetra për sterilizimin”- tha Rama.
Kujtojmë se aktualisht çështja e inceneratorëve dhe sterilizimit janë dy nga çështjet më të nxheta që SPAK është duke hetuar.
Në kuadër të hetimeve mbi inceneratorët aktualisht në pranga është ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.
Nga ana tjetër koncesioni i sterilizimit është një tjetër aferë ku i implikuar është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.