Kreu i Partisë Mundësia, njëkohësisht deputet, Agron Shehaj, ka bërë me dije se llogaria e tij në Instagram është bllokuar pa paralajmërim paraprak.
Partia Mundësia e lidh këtë zhvillim me angazhimin e fundit të Shehajt në mbështetje të protestës kombëtare. Sipas saj, probleme me llogaritë në Instagram kanë hasur gjatë ditës së djeshme edhe disa aktivistë të përfshirë në protestë.
Në një deklaratë, partia ngre dyshime se bllokimet mund të jenë pjesë e një “veprimi të koordinuar kundër opozitës dhe protestës”, duke pretenduar se pas tyre mund të qëndrojnë grupe të lidhura me qeverinë.
Nga ana tjetër, bëhet e ditur se Agron Shehaj po përgatit hapat ligjorë për rikthimin e llogarisë së tij në Instagram.
Partia Mundësia e ka cilësuar situatën si shqetësuese, duke e konsideruar atë si një çështje që prek lirinë e shprehjes dhe aktivitetin politik të opozitës.
