Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, së bashku me një delegacion amerikan, ka mbërritur mesditën e kësaj të marte në qytetin e Vlorës. Ai është shoqëruar nga forca të shumta sigurie dhe ekipe të posaçme të ambasadës amerikane.
Delegacioni ka ndaluar fillimisht në Vilën qeveritare në Ujin e Ftohtë, ndërsa më vonë pritet që Adams të vizitojë edhe zonën e Orikumit. Ende nuk janë bërë publike arsyet zyrtare të kësaj vizite në qytetin bregdetar, por sipas mediave ndërkombëtare, qëllimi i udhëtimit të kryebashkiakut të Nju Jorkut në Shqipëri lidhet me forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe promovimin e turizmit.
Burime pranë organizatorëve bëjnë me dije se Adams do të zhvillojë takime joformale me përfaqësues vendorë dhe sipërmarrës të zonës.
Adams është një figurë që ka tërhequr vëmendje për lidhjet e tij me komunitetin shqiptar në SHBA, i cili numëron rreth 40 mijë banorë vetëm në Nju Jork. Në qershor, ai organizoi një festë për kulturën shqiptare në rezidencën zyrtare, ndërsa në gusht u takua me ambasadorin e Shqipërisë në SHBA.