Policia e Tiranës ka dhënë detaje në lidhje me dhunën e ndodhur një ditë më parë para ndeshjes Iliria – Skënderbeu.

Blutë e kryeqytetit sqarojnë se ngjarja ka ndodhur në dhomat e zhveshjes, mes futbollistëve të Ilirisë dhe ekipit kundërshtar të Skënderbeut, teksa raportohet se ka mbetur i dëmtuar një futbollist. Sipas njoftimit, janë proceduar gjendje të lirë për tre futbollistë të Ilirisë.

Kujtojmë se ekipi Iliria në një reagim hodhi poshtë akuzat e ekipit korçar, duke mohuar sek ishte ndodhur një konflikt. Por trajneri Ernest Gjoka deklaroi se ishin sulmuar disa lojtarë të huaj të Skënderbeut, madje njëri prej tyre ishte rrëzuar në tokë nga dhuna.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë: referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. S., B. S. dhe J. S., të tre futbollistë, pasi dje, përpara fillimit të ndeshjes së futbollit “Iliria-Skënderbeu”, dyshohet se janë konfliktuar në dhomat e zhveshjes, me futbollistët e ekipit kundërshtar. Si pasojë është dëmtuar lehtë, futbollisti, shtetasi S. N”, sqaroi policia.