Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në afërsi të një gjimnazi në Kamëz, ku disa të mitur janë përfshirë në një konflikt fizik që ka përfunduar me plagosje.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, ngjarja ndodhi rreth orës 10:50, në bulevardin “Nënë Tereza”, ku dyshohet se disa të rinj të moshës 15-17 vjeç janë konfliktuar për motive të dobëta.

Gjatë përplasjes janë dëmtuar dy 16-vjeçarë, të cilët dyshohet se janë goditur me mjet të mprehtë. Të plagosurit ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Një tjetër bashkëmoshatar i tyre ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka shoqëruar disa persona të përfshirë në ngjarje dhe po merr deklaratat e tyre. Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në konflikt.

NJOFTIMI:

Rreth orës 10:50, te bulevardi “Nënë Tereza” në Kamëz, në rrugë, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, disa shtetas të mitur, të moshave 15-17 vjeç.

Gjatë konfliktit janë dëmtuar, dyshohet me mjet të mprehtë, dy 16-vjeçarë, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Është dëmtuar lehtë dhe një bashkëmoshatar i tyre, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa persona dhe po marrin deklaratat e tyre.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të përfshirë në konflikt.