Trafiku ajror në hapësirën ajrore shqiptare është pezulluar përkohësisht, për shkak të një problemi teknik të dyshuar në sistemin e radarëve të Albcontrol.
Problemi ka sjellë ndërprerje në monitorimin e trafikut ajror, duke bërë që për disa minuta asnjë avion të mos lejohej të ngrihej apo të ulej në hapësirën ajrore të Shqipërisë.
Pezullimi është marrë si masë sigurie, me qëllim garantimin e navigimit dhe ndarjes së sigurt të avionëve deri në rikthimin e plotë të sistemeve.
Defekti teknik pritet të shkaktojë vonesa në nisjet dhe mbërritjet në Aeroportin e Rinasit, si edhe pritje për avionët që ndodhen në fluturim. Në varësi të kohëzgjatjes së ndërprerjes, nuk përjashtohen edhe shtyrje të orareve apo devijime të përkohshme të fluturimeve.
Burimet bëjnë me dije se po punohet për normalizimin e sistemit dhe rikthimin sa më shpejt të trafikut ajror në kushte normale.
