Tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë u regjistruan paraditen e kësaj të enjteje përpara Kuvendit, ndërsa deputetët e mazhorancës zhvillonin seancën plenare në mungesë të opozitës.
Situata u agravua pasi disa protestues goditën me vezë deputetët dhe automjetet e tyre, duke sjellë ndërhyrjen e policisë dhe shoqërimin e disa personave në komisariat. Më pas, një grup protestuesish çanë gardhin metalik dhe tentuan të afrohen drejt hyrjes së Parlamentit, ndërsa efektivët kundërpërgjigjën me spray lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e turmës.
Gjatë përplasjeve u dëmtua edhe një automjet i policisë, ndërsa në disa momente protestuesit hodhën gurë, miell, ujë dhe vezë drejt efektivëve. Sipas bilancit paraprak, mbetën të plagosur nëntë punonjës policie dhe u lënduan pesë protestues.
Policia shoqëroi rreth 20 persona të dyshuar për përfshirje në incidentet e dhunshme, ndërsa disa prej tyre akuzohen për dëmtim të pronës dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Ndërkohë, jashtë komisariateve ku po mbaheshin të shoqëruarit u mblodhën sërish protestues, të cilët kërkuan lirimin e tyre dhe vijuan tensionet me policinë.
Për zhvillimet reaguan edhe figura politike. Kryeministri Edi Rama e cilësoi protestën si të dhunshme dhe akuzoi organizatorët për përshkallëzimin e situatës, ndërsa drejtues të opozitës dënuan ndërhyrjen e policisë dhe përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve.
